Thirrja e fortë për të mos djegur mandatet, Lulzim Basha i përgjigjet SHBA-së
  • 5 years ago
TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është përgjigjur SHBA-së pas thirrjes së fortë të ambasadës (lexo ketu) për të mos djegur mandatet, pasi me kërcënimet që po bëjnë po minojnë demokracinë dhe po sabotojnë Shqipërinë. Lideri i opozitës i është përgjigjur ambasadës me një shprehje të Presidentit Lincoln.

"Unë nuk komentoj asnjë deklaratë të përfaqësive të huaja në Tiranë, por dua t'u them qartë se për PD-në dhe mua nuk ka frymëzim më të madhe sesa SHBA dhe demokracia amerikane. Në veçanti mes galerisë së personaliteteve që kanë dhënë kaq shumë vlerësoj Presidentin Lincoln dhe dua ta citoj; 'Ky komb nën zot do të ketë një lindje të re të demokracisë dhe lirisë dhe se qeverisja e njerëzve nuk do të zhduket nga faqja e dheut, nga faqja e Shqipërisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Amerikën" tha Basha.

Më pas kryedemokrati theksoi se vendimi për djegien e mandateve është rekursi i fundit për të rrëzuar qeverinë. "Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete, por rekursi i fundit që i është lënë opozitës për të arritur një qëllim madhor për të shembur një qeveri të krimit për krimin dhe nga krimi dhe t'u japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve. Për këtë ne nuk po kërkojmë që të marrim dicka, mandate me ndihmën e krimit sikur ka bërë Rama, ne po japim" tha Basha.

Deklaratat Lulzim Basha i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike. "Me votë unanime u vendos për djegien e mandateve, vendimi do i përcillet nesër Këshillit Kombëtar" përfundoi Basha. Nesër rreth orës 17:00 do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Ndërkohë që pasditen e sotme kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi një takim në selinë blu me ambasadorin britanik Duncan Norman. Takimi ka zgjatur më shumë se një orë, ndërsa në qendër të bisedës ka qenë djegia e mandateve nga opozita
Recommended