Merr fund bojkoti në fakultete, 5 ditë para protesta se PD studentët e Juridikut dalin nga ngujimi

  • 5 years ago
TIRANË - Pas Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, i cili sot hapi dyert për mësim, edhe Fakulteti Juridik është drejt rikthimit në normalitet. Studentët e drejtësisë, pas dy muajsh bojkot total dhe zaptimin e godinës prej muajit janar, i kanë liruar ambientet pasditen e kësaj të hëne. Lirimi i ambienteve të Fakultetit bën që nga dita e nesërme mësimi të rinisë nga këto auditore, pasi aktualisht po zhvillohet te gjimnazi "Petro Nini Luarasi".

Report Tv ka siguruar edhe pamjet e momentit të largimit të studentëve, ndërsa administrata e Fakultetit ka sistemuar në auditore bankat e nxjerra në korridore nga studentët që prej nisjes së ngujimit ditët e para të janarit 2019.

Ky vendim i studentëve për t'i dhënë fund bojkotit, erdhi pas disa kushteve që i adresuan dekanit Artan Hoxha. Ata kanë kërkuar së pari shtyrjen e sezonit akademik në përputhje me orët e humbura si dhe zëvendësimin e këtyre orëve. Po kështu kanë kërkuar edhe shtyrje të afatit për dorëzimin e dokumenteve për të përfituar bursë dhe përgjysmimin e tarifave dhe mospenalizim të studentëve protestues për shkak të kohëzgjatjes së protestës.

Pas dy muajsh protestë dhe bojkot, studentët kanë shprehur vullnetin që gjithçka të kthehet në normalitet. Ndërprerja e protestës dhe ngujimit të tyre bëhet pesë ditë përpara protestës së opozitës. PD, LSI dhe partitë e tjera opozitare kanë paralajmëruar për një protestë radikale përpara Kryeministrisë. Për të shmangur politizimin dhe përdorimin e kauzës së tyre nga opozita, studentët kanë vendosur t'i japin fund kështu edhe ngujimit të javëve të fundit, duke rikthyer normalitetin dhe rinisur procesin mësimor në auditore prej ditës së nesërme.

Recommended