Kuvendi/ Kryeministri votohet edhe ministër i Jashtëm, opozita largohet nga salla

  • 5 years ago
TIRANE- Është zhvilluar sot në Kuvend seanca e parë plenare për këtë sesion të ri parlamentar. Në seancën e sotme kryeministri Edi Rama është emëruar zyrtarisht në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme në vendin e Ditmir Bushatit me 78 vota pro. Jashtë Kuvendit, kryeministri u shpreh se të gjitha paditë për shkeljet e presidentit Ilir Meta janë gati sapo të formohet Gjykata Kushtetuese. Që prej ditës së sotme ai do të mbajë njëkohësisht të dy postet zyrtare. Njëherazi me emërimin e Ramës, në Kuvend u votua me 77 vota pro dhe një abstenim edhe shkarkimi i paraardhësit të Ramës, Ditmir Bushatit. Gjatë seancës së sotme janë zëvendësuar vendet bosh të ministrave të rinj nëpër komisionet parlamentare. Në këtë seancë është vendosur që ish-ministri Ditmir Bushati të marrë kryesimin e delegacionit shqiptar në OSBE. Arben Ahmetaj ka marrë drejtimin e Komisionit të Ekonomisë, Niko Peleshi ka marrë drejtimin e Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, Senida Mesi, ka marrë pozicionin e nënkryetares së Komisionit të Integrimit. Blerina Gjylameti është votuar si bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Nënkryetare e Komisionit të Shëndetësisë u votua nga Kuvendi, deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu. Gjatë kësaj seance ka patur edhe debate mes opozitës dhe mazhorancës që është larguar nga salla me përfundimin e fjalës së kryetarit Lulzim Basha, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar. Monika Kryemadhi e Lulzim Basha, thanë në Kuvend se ministrat e rinj nuk janë figura të PS-së por janë kukulla të kryeministrit Edi Rama. Seanca e sotme përkoi me datën 21 janar, 8 vite nga protesta ku u vranë 4 njerëz të pafajshëm në bulevard para Kryeministrisë, që nuk u la pa përmendur nga kryeministri Edi Rama. Rama tha se 21 janari është plagë e hapur dhe se do të mbyllet kur në bangën e të akuzuarve të jenë të gjithë fajtorët.

Recommended