Hapet gara per prokuroret e SPAK

  • 5 years ago
Prokuroria Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e njohur ndryshe si SPAK do të ketë 15 prokurorë. Ky ishte një nga vendimet e marrë këtë të hënë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili shpalli vendet vakante. Kandidatët që duan të jenë pjesë e kësaj strukture kanë afat një muaj për të paraqitur dokumentacionin pranë KLP-së.

Gara është e hapur për të gjithë prokurorët magjistratë që kanë eksperiencë pune jo më pak se 10 vite në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pjesa më madhe që e plotësojnë këtë kusht janë prokurorët e Krimeve të Rënda dhe ata të task forcave në rrethe.

Prokurorët që duan të jenë pjesë e SPAK duhet të plotësojnë një deklaratë më shkrim prej tyre dhe anëtarëve të afërt të familjes, që komunikimet telefonike të tyre do të jenë objekt vëzhgimi, duke hequr dorë nga privatësia. Gjithashtu ata duhet të kenë kaluar vetting-un, por kjo nuk i pengon për të aplikuar pasi kandidatët do t'i nënshtrohen në mënyrë të përshpejtuar këtij procesi, me ndihmën e komisioneve të vetting-ut.

Ligji thotë se SPAK duhet të nisë punën dy muaj nga konstituimi i KLP-së, por duke qenë se ky institucion u ngrit me shumë vonesë, ende nuk ka një datë kur Prokuroria Speciale do të fillojë nga puna.

Tv Klan

Recommended