Taksa e baneses tek fatura e ujit

  • 5 years ago
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë do të mbledhë taksën e banesës në kryeqytet. Sipas një projektvendimi të Bashkisë së Tiranës, e cili pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak pasditen e sotme, të gjithë taksapaguesit që kanë ndërtesë apo objekt në pronësi, apo me qira, brenda 4 muajsh duhet të paraqiten pranë zyrave të kësaj shoqërie për të kryer vetëdeklarimin mbi të dhënat e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi apo në përdorim.

Pas vetëdeklarimit, ndërmarrja e Ujësjellësit brenda 3 muajsh do të verifikojë të dhënat e paraqitura për objektet e banimit dhe ato në përdorim me qira, përmes dokumenteve të ALUIZNI-t dhe Hipotekës.

Për këtë shërbim, në arkën e kompanisë së Ujësjellësit do të kalojnë 5% nga të ardhurat totale të taksës që do të mblidhet. Ajo që nuk dihet është se çfarë do të behët për të gjithë ata qytetarë që nuk vetëdeklarojnë banesat e tyre.

Me ndryshimet e fundit ligjore të datës 1 Prill 2018, taksa e ndërtesës u mbështet tek vlera e banesave. Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05% aplikohet mbi vlerën e ndërtesës, pra çmimi i shumëzuar me sipërfaqe, thuhet në relacionin që shoqëron këtë vendim.

Tv Klan

Recommended