Rreth 600 të dënuar sipas kategorive të parashikuara në ligj, do të përfitojnë nga amnistia për shkak të mbipopullimit dhe festave të fundvitit. Report Tv mëson se drafti është miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe i është dërguar për mendim Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme. Më pas do të jetë qeveria ajo që do të vendosë, përpara se projektligji të kalojë për miratim në Kuvend i cili në seancën e fundit të dhjetorit duhet të votojë ligjin. Pas miratimit në Kuvend, amnistia hyn në fuqi në janar të vitit të ardhshëm. Të dënuarit që do përfitojnë nga ligji, do lirohen menjëherë nga burgu.
Kush përfiton Ajo që vlen të theksohet është se amnistia e këtij vitit pritet që t'u japë prioritet grave dhe të moshuarve të dënuar. Nga amnistia përfitojnë të dënuarit për vepra të lehta penale me dënime nga 6 muaj deri në një vit burg. Amnistohen gjithashtu personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç, përjashto ata që kanë kryer vrasje ose krime të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Në projektligjin e propozuar nga qeveria, parashikohet të përfitojnë nga amnistia, të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me burgim deri në tre vjet, për dënime të dhëna deri më 30 nëntor 2018, pavarësisht kohës që u mbetet për të vuajtur. Gjithashtu, amnistohen të gjithë personat e dënuar me burgim, të cilëve deri në datën e hyrjes së fuqi të ligjit, u kanë mbetur pa vuajtur një periudhë deri në dy vite burgim.