Gjuetia e paligjshme s'kursen as shpendët e rrallë, saçmat e armës vrasin Pelikanin Kaçurrel

  • 6 years ago
VLORE - Gjuetia e paligjshme vijon të prodhojë efekte shkatërruese për florën dhe faunën në vendin tonë, pavarësisht moratoriumit. Rasti më i fundit i dhimbshëm është vrasja e një Pelikani Kaçurrel, shpend i rrallë dhe autokton në vendin tonë, në Lagunën e Nartës, në Vlorë, i cili është gjetur ditën e sotme nga peshkatarët.

Report Tv ka siguruar edhe pamje nga masakra e radhës e gjuetarëve të papërgjegjshëm të cilët në rastin konkret janë shndërruar në vrasës, duke mos kursyer edhe një prej shpendëve kryesorë të Lagunës i cili konsiderohet gjithashtu edhe si një nga më të rrallët në të gjithë mesdheun që preferon të rritet dhe të banojë në Lagunën e Karavastasë në Divjakë dhe atë të Nartës.

Nga shenjat trupin e Pelikanit duket se ai është qëlluar nga një armë gjahu pasi bien në sy plagët e shkaktuara nga saçmat. Kjo është një tjetër masakër ndaj shpendëve të rrallë në vendin tonë, kryesisht Pelikanit Kaçurrel, dora njerëzore ndaj të cilit është treguar e pamëshirshme ndër vite.

Këto pamje që i transmeton sot Report Tv, duhet të shërbejnë edhe si një kambanë alarmi për të vënë në lëvizje institucionet me qëllim mbrojtjen e banorit të veçantë të lagunës i cili i ka kthyer zonat ku banon në atraksion turistike nga mjaft vizitorë vendas dhe të huaj.

Recommended