Report TV - Projektbuxheti 2019/ Ja institucionet ku do të shtohet dhe do të pakësohet administrata
  • 5 years ago
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur qeveritë kanë ulur vazhdimisht numrin e punonjësve të administratës shtetërore, si një tendencë për uljen e shpenzimeve të personelit, vitin e ardhshëm do të kemi 269 buxhetorë më shumë se këtë vit. Numri i tyre kalon nga 81.753, në 82.022 vetë. Por jo të gjitha institucionet do të trajtohen njësoj nga pikëpamja e personelit.

Do të jenë 250 punonjës, të cilët janë parashikuar që do të punësohen në organet e reja të Drejtësisë. Për vitin në vazhdim, ky numër për punonjës rezervë në këtë sektor ishte 230 vetë. Projektbuxheti 2019 parashikon numër më të madh punonjësish në Kolegjin e Apelimit, atë të Apelimit, të Kualifikimit, por edhe në Prokurori, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese dhe KLD mbeten me të njejtin personel si këtë vit.

Do të jenë të shumtë institucionet shtetërore, të cilëve nuk iu lëviz numri i punonjësve, duke filluar nga Presidenca dhe Kuvendi i Shqipërisë. Ndërkohë, aparati i Këshillit të Ministrave rritet me vetëm 56 vetë.

Të shumtë janë edhe institucionet qendrore që pësojnë ?rrudhje?. Këtu bën pjesë edhe ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes, me një reduktim të vogël. Nga ana tjetër, rritje do të ketë sistemi i ministrisë së Drejtësisë.

Agjencia e Prokurimit Publik pëson rritje të ndjeshme, nga 29, në 44 persona, ndërkohë që rritje më e madhe është lejuar për personelin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, që kalon në 318 vetë, nga 153 aktualisht. Pra, dyfish.

Sipas relacionit shoqërues të Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, të depozituart tashmë në Kuvend, shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 80.6 miliardë lekë, shifër e barabartë me 4.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Recommended