Dy shtetas amerikanë kanë përfunduar në prangat e Policisë Shqiptare, pasi ishin shpallur në kërkim prej një vitit nga autoritetet amerikane për prodhim dhe shitje të drogave sintetike.
Operacioni për kapjen e këtyre personave është kryer nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, si dhe me agjentë të DEA-s amerikane. Të arrestuarit kishin ngritur një bazë në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.
" Në zbatim të letër porosisë të autoriteteve amerikane, si dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për zbatimin e saj, Departameti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n amerikane pas një pune të mirë organizuar finalizuan me sukses operacionin e koduar ?Sintetiku?, ku u arrestuan 2 shtetas amerikane: Vincent (Dominic) De Caro, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; Arber Isaku, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA. Ndaj tyre, Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë ?Arrest me burg? për veprën penale ?Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope? kjo vepër e kryer nëpërmjet ?dark web?. Këta shtetas ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike."
Nga ana tjetër, Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi u shpreh që edhe Shqipëria rrezikohet shumë nga fenomeni i drogave sintetike, ndërsa operacioni për arrestimin e 2 amerikaneve tregon bashkëpunimin e ngushtë të autoriteteve shqiptare me ato amerikane.