Sherr me prindërit për makinën, i mituri largohet nga banesa dhe vetëvritet me pistoletë

  • 6 years ago
VLORË - Debatoi me prindërit se lëvizi makinën pa leje, 13-vjeçari i jep fund jetës duke u vetëqëlluar me një armë zjarri pistoletë "TT". Ngjarja ka ndodhur në Njësinë Administrative Novoselë të Vlorës.

Report Tv mëson se trupi i 13-vjeçarit, i identifikuar si Merdjan Aliaj, është gjetur nga babai i tij, me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, pranë një godine pak metra larg shtëpisë. Ai është transportuar me urgjencë në drejtim të spitalit të Vlorës por ka qenë e pamundur që i mituri të shpëtohej.

Më herët ai kishte debatuar me prindërit se kishte lëvizur automjetin pa lejen e tyre. 13-vjeçari është larguar nga fshati Fitore dhe ka shkuar në një ndërtesë ku edhe ka qëlluar veten me pistoletë në kokë. Nuk dihet se ku e gjeti armën i mituri me të cilën kreu edhe aktin e vetëflijimit.

Njoftimi i policisë:

Vlorë

Informacion paraprak

Më datë 10.09.2018, rreth orës 16:40, në fshatin Fitore, Vlorë, dyshohet se është vetvrarë aksidentalisht me armë zjarri një djalë i mitur me gjeneralitetet M.A., 13 vjeç.

Në momentin e ngjarjes, fëmija ka qenë vetëm duke luajtur në një godinë ngjitur me banesën, ku dyshohet se është vetëvrarë aksidentalisht me armë zjarri tip Pistoletë TT. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.