Report Tv-Si u festua Kurban Bajrami në mbarë vendin

  • 6 years ago
Mijëra besimtarë myslimanë kanë marrë pjesë sot në ritin e faljes së Kurban Bajramit në të gjitha qarqet e vendit. Myftinit e të gjitha qyteteve kanë uruar besimtarët muslimanë, duke iu bërë thirrje edhe për distancim nga aktet e dhunës dhe marrjen e jetëve njerëzore.

Fushë Krujë

Në Fushë Krujë besimtarët muslimanë dolën herët në mengjes rreth orës 05 e 30 e falja e namazit u bënë në orën 7. Më pas komuniteti mysliman i Fushkrujës shpërndau disa pako me ushqime dhe mish nga kurbani i tyre për familjet dhe personat në nevojë.

Elbasan

Në Elbasan ceremonia është zhvilluar në sheshin kryesor të këtij qyteti. Drejtues të myftinisë Elbasan, teologë dhe imamë kanë mbajtur fjalimet e rastit. Ata u luten për më shumë dashuri, harmoni dhe solidaritet në vatrat familjare. Myftiu Agim Duka u shpreh se festa e Kurban Bajramit është një ngjarje e shënuar për fenë islame, dita që i afron besimtarët më pranë Allahut dhe që rrit paqen, solidaritetin.

Fier

Që në orët e para të mëngjesit qindra besimtarë muslimanë në Fier kanë falur namazin në xhaminë e qytetit, ndërsa kreret myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve. Namazi u fal në orën 07: 10 minuta. Ceremonisë se faljes i parapriu me fjalën e tij myftiu i Fierit, Taulant Bica, duke përcjellë mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njeri-tjetrit.

Berat

Ndërsa besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kanë falur sot Kurban Bajramin në Pedonalen e qytetit, e cila është mbushur me besimtarë, të cilët janë falur për mirësi, shëndet dhe fat për familjet e tyre. Falja e bajramit është ndjekur dhe nga qytetarë beratas, pavarësisht besimit të tyre fetar.

Lushnje

Në Lushnje falja e namazit të Kurban Bajramit është bërë në dy pjesë. Kjo ndodh për të disatin vit radhazi. Ndjekësit e xhamisë së vjetër e kanë kryer ritin e faljes në ambiente private. Ndarja ka ndodhur që në vitin 2004 kur myfti u shpall Tomorr Boriçi, ndërsa besimtarët e vjetër falen pak metra larg xhamisë nën drejtimin e ish myftiut Zylyftar Dervishi. Ndonëse me ardhjen e myftiut Gramos Blliku pritej që të gjendej gjuha e përbashkët, bashkimi i besimtarëve muslimanë në Lushje ende nuk ka ndodhur.

Recommended