Report TV - Emergjencë ambientale/ Qytetarët: Pylli i Qerretit varrezë plehrash dhe kantier ndërtimi

  • 6 years ago
Kavajë- Qytetarët kanë denoncuar në Report Tv situatën skandaloze në pyllin e Qerretit në Bashkinë Kavajë, i kthyer në një vend depozitimi mbetjesh.

Përmes fotove të dërguara, pushuesit dhe banorët e zonës shprehin shqetësimin për situatën e krijuar nga shkarkimi i inerteve dhe mbeturinave të ndërtimit nga kompania që është duke punuar për vendosjen e linjës së tensionit elektrik.

Siç edhe shihet nga kjo foto një pjesë e pyllit është shndërruar në një varrezë kazanësh plehrash, për firmën e cila ka fituat tenderin për pastrimin e qytetit të Kavajës.Situatën në pyllin e Qerretit qytetarët e përshkruajnë si një katastrofë ambientale me një rrezik të madh për tu kthyer në vatër zjarri. Po ashtu mësohet se kompania KRONOS e cila është duke u marrë më rrjetin elektrik ka ndërtuar kantierin e saj brenda hapësirës së pyllit.

Në kantierin e saj kompania ka depozituar materiale elektrike lehtësisht të ndezshme në pyll pa asnjë masë sigurie. Banorët e kësaj zone thonë se kjo kompani nuk mjaftohet me kthimin e pyllit në kantier ndërtimi, por hedh edhe inerte ndërtimi në pyll.

I pyetur në lidhje me këtë shqetësim kreu bashkisë Kavajë, Isa Sakja tha se kazanët e plehrave të lënë në pyll janë pronë e ish-komunës Golem dhe do të lëvizen me shpejtësi.

Ndërsa për çështjen e mbetjeve, zoti Sakja pohoi se ato merren dy herë në ditë por këto ditë ka patur një fluks të madh pushuesit dhe volumi i tyre është rritur.

Sipas kryebashkiakut të Kavajës banorët e kësaj zone janë të kënaqur me shërbimet që u ofrohen por ai ngre shqetësimin kur thotë se ata kanë 10 vite që nuk paguajnë asnjë taksë.

Recommended