Artistët peticion Presidentit Meta: Mirato ligjin për Teatrin e ri Kombëtar

  • 6 years ago
Një grup artistësh, kryesuar nga të mëdhenjtë e skenës shqiptare, Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, por edhe djali i të madhit Kadri Roshi, Kliti Roshi, regjisori Spiro Duni, aktorët Artan Imami, Sotiraq Bratko, Zamira Kita e shumë të tjerë, i janë drejtuar sot me një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit në vend, si dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ku shprehin vullnetin e tyre pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, njofton bashkia e Tiranës.

Peticionit i janë bashkuar edhe aktorët e dashur për publikun, Gazmend Paja, Erion Isai, Gent Hazizi, Violeta Trebicka, Genti Kame, Ledio Lako, Roland Saro, Erblin Bajko, Olsi Bylyku, Irgen Çela, e shumë të tjerë, të cilët shprehen se teatri i ri modern do t?i shërbejë të gjithë komunitetit artistik teatror e publikut artdashës, si dhe kërkojnë që të mos humbet më kohë, por të nisë puna për t?i dhënë Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të së ardhmes, thotë bashkia.

?Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, dëshirojmë t'iu bëjmë me dije dhe të shprehim vullnetin tonë me anë të këtij peticioni të hapur, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, ku t'i shërbej të gjithë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës.

Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t'i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes?, shkruhet në peticion, ku janë listuar më pas emrat dhe firmat e aktorëve, regjisorëve dhe përfaqësuesve më të njohur të artit skenik shqiptar.

Recommended