Report Tv - Tarifat e reja për 'Rrugën e Kombit' nisin në shtator? Qeveria asnjë informacion

  • 6 years ago
Negociatat mes qeverisë dhe koncesionarit për tarifat e reja të Rrugës së Kombit mbetet e veshur me mister. Si qeveria ashtu edhe grupi negociator i koncesionit nuk japin detaje se çfarë kanë prodhuar negociatat që udhëhiqen nga ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri por mjaftohen duke rrjedhur ne media të caktuara detaje.

Një situatë e tillë po kthehet në pingpon mes grupit të interesit që janë banorët e Kukësit të cilëve po iu serviren të dhëna me pikatore. Gjatë të shtunës është raportuar në disa media se grupi ndërministror qeveritar dhe kompania koncesionare e rrugës Milot-Morinë kanë përmbyllur procesin e negociatave duke dalë me një formulë konkrete për tarifimin preferencial të banorëve të Qarkut të Kukësit dhe autobusëve të linjës dhe përdoruesve të shpeshtë.

Sipas këtyre informacioneve ende jo zyrtare është rënë dakord që kalimi me pagesë të nisë më 17 shtator dhe të gjitha automjetet e regjistruara në Qarkun e Kukësit do të paguajnë një tarifë prej 100 lekë me TVSH për një kalim. Përdoruesit e Qarkut të Kukësit do të parablejnë përmes telepass në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime në muaj me këtë tarifë të reduktuar.

Sakaq do të ketë reduktime të tarifave edhe për linjat publike të autobusëve që parashikohet të paguajnë 100 lekë me TVSH për cdo kalim. Tarifa të reduktuara do të kenë edhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës.

Parashikohet se ata që kryejnë 10-30 kalime në muaj kanë 10% zbritje.