Report TV - Tentuan të trafikonin 1 ton kanabis në Itali, pranga skafistit shqiptar

  • 6 years ago
Një shqiptar me një ton drogë është arrestuar nga Guardia di Finanzia në zonën e Leçes, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Policia e shtetit bën të ditur se i arrestuar është 34-vjeçari shqiptar Marjo Nazëraj nga Fieri, i cili drejtonte një gomone me 1 ton kanabis, ndërsa Guardia di Financia është vënë në kërkim të bashkëpunëtorit të tij për të cilin nuk jepen të dhëna.

Operacioni është organizuar mes Autoriteteve të Policisë shqiptare, Grupit Detar të Guardia di Finanza të stacionuar në Durrës dhe Zyrës Ndërlidhëse policore shqiptare. Operacioni nisi pasditen e djeshme, kur u ndalua një gomone 7 metra e gjatë me dy motorë me 100 kuaj fuqi, në zonën e Leçes.

Burime policore bëjnë të ditur se skafistët u përpoqën të largoheshin, duke u hedhur në det afër brigjeve italiane, por njëri prej tyre, Mario Nazëraj është kapur, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka mundur të largohet.

Në videon e publikuar nga mediat italiane shihet momenti kur forcat e Guardia di finanzias e marrin 34-vjeçarin Mario Nazëraj dhe e fusin në mjetin e tyre të lundrimit.

Braktisja e gomones ka bërë që kjo e fundit të bëjë lëvizje të rrezikshme për ekipin policor, por asnjëri prej tyre nuk ka pësuar dëmtime. Edhe skafisti Nazëraj, sipas mediave italiane, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa u transportua në portin e Santa Maria di Leuca.

Pak momente para se të hidheshin në det, trafikantet gjatë ndjekjes me helikopter të Frontex dhe mjete detare, e hodhën drogën në det por ajo u rikuperua nga Guardia di Finanza. Sipas mediave italiane, droga e sekuestruar kap vlerën e 1 milion eurove.

Recommended