Vizita në Itali, Veliaj: Projekte në fushën e ndriçimit dhe transportit publik me bashkinë e Veronës
  • 6 years ago
Bashkia e Tiranës dhe ajo e Veronës do të konkretizojnë shumë shpejt dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e transportit publik dhe ndriçimit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Itali, me ftesë të kryebashkiakut të Veronës, Federico Sboarina, me të cilin diskutoi mbi thellimin e bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe për pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë në eventin më të madh ndërkombëtar të verës, "VinItaly". Veliaj u shpreh se bashkëpunimi mes Tiranës dhe Veronës do të vijojë me modernizimin e flotës së autobusëve.

Po studiojmë mënyrën se si edhe me ndriçimin e qytetit, edhe me transportin publik, të ecim përpara. Ashtu siç kam premtuar, nëse privatët nuk do modernizojnë flotën e mjeteve, duke i kthyer ato në elektrike, bashkëpunimi me Veronën është prova konkrete që kemi nisur për të zëvendësuar shumë prej linjave private. Ashtu siç bëjmë më mirë pastrimin e qytetit, ashtu do të bëjmë edhe transportin publik

Erion Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Veronës, Federico Sboarina u shpreh entuziast për këtë bashkëpunim të ri me Tiranën, të cilën e vlerësoi si një qytet që po rritet me shpejtësinë e dritës.

Në Tiranë pata një mikpritje të pabesueshme. Munda të shoh për herë të parë një qytet me një energji të madhe, që po rritet vërtet me shpejtësinë e dritës. U takuam edhe me Presidentin e rajonit të Venetos, Luza Zaia, me të cilin diskutuam projekte të rëndësishme. Gjëja më thelbësore është se u krijua një raport i vërtetë mes dy kryetarëve të bashkive, të cilët e duan tokën e tyre dhe kështu mund të ndërtojnë së bashku diçka të rëndësishme
Recommended