Rama takon Hahn: Presim rekomandim pozitiv per negociatat

  • 6 years ago
Në 17 Prill, Komisioni Europian pritet të publikojë progresraportin për Shqipërinë dhe qeveria shqiptare pret të marrë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Kryeministri ka lënë pikërisht këtë të kuptohet, me një postim të bërë pas takimit në Bruksel, me Komisionerin e Zgjerimit Johannes Hahn, takim që Rama e cilëson si shumë pozitiv.

Kryeministri thotë se në bashkëbisedimin me Komisionerin Hahn u bë një bilanc i progresit të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe u theksua ecuria e procesit të Vetting-ut.

Rama shkruan se Vetting-u këtë javë hyn në fazën vendimtare të zbatimit me fillimin e dëgjesave publike, gjykatësve e prokurorëve të nivelit të lartë përpara Komisionit të Shkallës së Parë.

Siç edhe Televizioni Klan lajmëroi një ditë më parë, dëgjesat në Komisionin e Vetting-ut do të nisë me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Mbështetjen për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bruksel, Kryeministri e ka marrë dhe nga homologu belg Charles Michel. Në njoftimin e Kryeministrit Rama thuhet se Michel ka shprehur konsiderata shumë pozitive për ecurinë e reformave të qeverisë së tij.

Ditët e mbetura deri në 17 Prill, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Bushati do t'i shfrytëzojnë për t'u takuar dhe bindur vendet skeptike për zgjerimin e Unionit, për një vendim pozitiv nga ana e Këshillit të Ministrave të BE në favor të çeljes së negociatave.

Recommended