Gjykata e Krujes liron nga burgu Genci Tafilin
  • 6 years ago
Gjykata e Krujës vendosi të lirojë me kusht para kohe, Genci Tafilin, vëllain e Admir Tafilit, të dy të dënuar me 25 vite dhe burgim të përjetshëm për vrasjen e ish - drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.

Genci Tafili vuante dënimin në burgun sigurisë së lartë të Fushë - Kurjës, në lidhje me dënimin e dhënë ndaj tij për vrasjen e Arben Zylyftarit në vitin 2001.

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha pranoi kërkesën e të dënuarit, Genci Tafili për lirim para kohe dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga vendi i vuatjes së dënimit.

Në të njëjtin vendim, gjyqtarja urdhëroi Tafilin që të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës në Krujë.

Menjëherë pas këtij vendimi, Prokuroria e Krujës e cilësoi vendimin si të marrë në kundërshtim të hapur me ligjin. Tafili ishte dënuar me 25 vite burg dhe kishte vuajtur 17 të tillë.

Në lidhje me këtë dënim, ai kishte për të vuajtur më tepër edhe tri vite burg. Prokuroria e ka cilësuar Tafilin si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe kjo rrethanë duhej marrë në konsideratë nga gjykata.

Prokuroria e Krujës ka ankimuar këtë vendim, i cili është depozituar menjëherë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Genci Tafili është vëllai i Admir Tafilit, i cili disa herë ka tentuar të arratiset nga burgu në Shqipëri dhe jashtë tij.

Për hërë të fundit, Tafili është shfaqur përpara gjykatës si pjestarë i një grupi të vrasjeve me pagesë.

Tv Klan
Recommended