Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka shpallur një aksion që synon pastrimin e Shqipërisë Brenda 300 ditësh. Nuk bëhet fjalë më vetëm për ndotjen nga mbetjet urbane, por edhe nga ato që vijnë nga sipërmarrësit, që sipas ministrit Blendi Klosi i kanë shndërruar lumenjtë në landfille publike.
Klosi lëshoi kritika ndaj inspektorëve që nuk kanë denoncuar sipërmarrjet që prodhojnë ndotje dhe kërkoi që brenda 20 ditësh të identifikohen të gjitha zonat e ndotura.
Aksioni i planifikuar nga ministria ka në fokus ndotjen e lumenjve, zonave turistike, ndotjen, shkatërrimin e mjedisit nga guroret dhe ndotjen që vjen nga varrezat e makinave. Klosi theksoi se këto subjekte janë me leje mjedisore të lëshuar nga vetë autoritetet mjedisore, ndaj dhe nuk është marrë asnjë masë.
Ky aksion me 3 faza, atë të pastrimit, rehabilitimit dhe reduktimit kërkon një mbështetje të veçantë nga qytetarët, të cilët mund të denoncojnë online rastet ku konstatohet një shkelje mjedisore.
Klosi deklaroi se inspektorët tashmë do t'i vendosin gjobat online, duke hequr mundësinë edhe të abuzumit.