Kryetari i komisionit zgjedhor, Jemin Gjana ka reaguar pas akuzave të kandidatit për kryetar të PD, Eduard Selami duke pranuar se ka pasur probleme me procesin e votimit në disa degë të PD.
'Vendvotime në zyrën e kryetarëve'
Ai shtoi se ka pasur raste kur vendvotimet janë ngritur në zyrën e kryetarit, por ka ndërhyrë komisioni i votimit dhe është gjetur një vend tjetër për të votuar.
"Vendvotimet kanë qenë të vendosura në zyrat e kryetarit të partisë në disa degë, por ne kemi ndërhyrë dhe kemi dhënë porosi që ato të hiqen për t?u vendosur në një vend tjetër.
Brenda vendvotimeve të pranishëm janë anëtarët e partisë që votojnë dhe komisionerët, askush tjetër", u shpreh Gjana.
Duke iu referuar akuzave të Selamit se disa anëtarë nuk janë lejuar të votojnë, Gjana tha se nuk ka pasur asnjë ankimim për emrin në listën e votuesve. Ai shtoi gjithashtu se nuk ka pasur incidente. "S'ka pasur probleme dhe incidente. Deri tani vlerësojmë se kemi të bëjmë me një proces të rregullt dhe korrekt".