Rama: Ja kur do të marrë fund bllokimi i Vetting -ut

  • 7 years ago
Duke folur në një takim me të rinjtë korçarë që votojnë për herë të parë, Kryeministri Edi Rama tha se Partia Demokratike nuk shkon në zgjedhje, sepse nuk e pastrimin e drejtësisë, por do gjyqtarë e prokurorë të korruptuar.

"Po të ishin gjithë njësoj Shqipëria do të ishte njësoj si tre vite më parë. Po të ishim gjithë njësoj, sot ne nuk do të ishim duke luftuar për drejtësi dhe ata nuk do të ishin në çadër për ta penguar drejtësinë. Nuk do të ishin ngujuar në çadër nga frika nga reforma një Drejtësi, nga frika e vetting -ut. Po të ishim gjithë njësoj ata do të ishin me ne duke luftuar së bashku që të niste pastrimi i pallatit të drejtësisë.

Pse nuk shkon PD në zgjedhje? Sepse nuk jemi të gjithë njësoj. Po të ishim të gjithë njësoj, ata do të ishin duke bërë këtë që po bëjmë ne tani, diku tjetër. Ata nuk shkojnë në zgjedhje, sepse nuk janë dakord që sistemi i drejtësisë të lirohet nga kthetrat e atyre që ia morën shpirtin për 25 vite këtij vendi".

Kreu i qeverisë theksoi se bllokimi i Vetting-ut do të marrë fund më 18 Qershor, pasi kjo nuk do të jetë më në dorë të opozitës, por në dorën e popullit.

"Si ta sjellim Lulin në zgjedhje? Dhe thonë o Lulin në zgjedhje o s'ka zgjedhje pa Lulin. Tirana e ka provuar Lulin, Shqipëria nuk ka ndërmend ta provojë. Shqipëria e ka provuar PD, 25 vjet, nëse PD është kjo, Shqipëria nuk ka nevojë ta provojë më. Nëse sot Vetting -u po vonohet se ne i kemi dhënë mundësinë të ndihen të barabartë, për hir të atyre që i kanë votuar, njerëzit e mirë që duan drejtësi. I kemi dhënë mundësinë që të kenë 50 për qind të anëtarëve, ata nuk vijnë sepse bllokojnë ngritjen e komisioneve. Ama ky bllokim, më 18 Qershor nuk është më në dorën e tyre, por në dorën tuaj".

Kryeministri Rama zbuloi edhe detaje nga dështimi i negociatave të një dite më parë.

"Ne vajtëm ashtu siç e kishim thënë që në fillim për të bërë dialog pa kushte dhe në tavolinë gjetëm vetëm të huaj, kreu i PD nuk ishte në tavolinë. Na thanë ja kush është plani për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme,e pranuam të gjithin. Na thanë po shikoni se janë edhe dy gjëra të tjera. E para sikur t'i shtyjmë pak zgjedhjet që t'i japim pak kohë PD, e dyta sikur të shikojmë ndonjë ministër që të jetë teknik në ato pozicione ku mund të ketë lidhje zgjedhjet. I thamë, ne mund t'i diskutojmë këto, s'ka problem, por ama çdo diskutim fillon "Vetting -u". Pa Vetting -un të tjerat nuk kanë fare sens të diskutohen". /tvklan.al

Recommended