Shefi i Rendit në Vlorë dyshohet se kontrollonte kultivuesit

  • 7 years ago
Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuluan përfshirjen në një grup të strukturuar kriminal, të Shefit të Rendit të Vlorës, Haki Hasanbegaj, si dhe ish - vartësit të tij në Komisariatin e Tepelenës, Gani Abazi.

Hetimi nisi pas zbulimit të një sipërfaqeje të kultivuar me kanabis në zonën e Vranishtit në Vlorë, ku u gjet një sasi prej rreth 2.4 tonë marijuanë në proces tharjeje dhe rreth 5 200 bimë të tjera të kultivuara.

Në këtë operacion policia arrestoi 6 persona, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Në përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është zbuluar se Hasanbega, orientonte personat në terren se çfarë duhet të bënin e deri në korrjen e tharjen e lëndës narkotike.

Thuajse të njëjtin rol, kishte edhe Gani Abazi, i cili tashmë kryente funksonin e referentit të rendit për inspektorët e rendit në Komisariatin e Tepelenës.

Gjatë mbrëmjes së të enjtes, Hasanbega dhe Abazi, janë transferuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku mësohet se janë pyetur nga oficerët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ende nuk dihet qëndrimi i dy të arrestuarve, ndërsa veç tyre dyshohet se janë edhe disa persona të tjerë të cilët janë në hetim për të njëjtën çështje.

Tv Klan

Recommended