Report TV - Përplasja Llalla-Lu, shmanget Basha: Akuzat janë të paqarta
  • 7 years ago
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka pranuar që të komentojë përplasjen mes Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë.

I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të takimit me investitorët italianë, Basha u shpreh se shkëmbimi i akuzave që ka ndodhur është i paqartë për të.

"Ka pasur një shkëmbim akuzash, të cilat janë të paqarta. Mendoj që nuk është detyra ime që të komentoj për to" u shpreh ai.

Basha u shpreh se shqetësimi i tij dhe opozitës janë zgjedhjet e lira, ndërsa tha se deklaratat e ndërkombëtarëve janë një kambanë alarmi.

"Shqetësimi ynë është për zgjedhjet e lira është konfirmuar edhe nga të huajt, por edhe nga politikanët shqiptarë. Kjo është një kambanë alarmi, prandaj duhet të ngrihemi bashkë të gjithë për të mbrojtur votën e lirë"tha ai.

Dje Kryeprokurori Adriatik Llalla dhe ambasadori i SHBA në Tiranë u përfshinë në akuza dhe kundërakuza në qendër të të cilave ishte reforma në drejtësi.