Gjyqtari i pezulluar i Sarandës, Rasim Doda, ka thyer heshtjen për Shqiptarja.com dhe Report TV, duke dhënë versionin e tij sa i takon prapaskenave të hetimit, arrestimit dhe më pas dënimit nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, për korrupsion pasiv.
Doda pretendon se, procesi ndaj tij është një kurth i parapërgatitur nga segmente të politikës dhe gjyqësorit, të lidhura nga interesa ekonomike. Gjyqtari thotë gjithashtu se vendimi paralel në favor të sipërmarrësit Hasan Bushi, për një pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 2 milionë euro në Sarandë, nuk është shkruar nga ai, por nga kryetari i Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela.