Për herë të parë, Kryeministri Edi Rama bën një parashikim se kur do të kemi një datë për hapjen e negociatave së Shqipërisë, për anëtarësim në Bashkimin Europian.
"Besoj se Bashkimi Europian vitin e ardhshëm do të vendosë datën për çeljen e negociatave, në momentin që ne do të tregojmë një numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh që janë nxjerrë një herë e përgjithmonë nga pallati i drejtësisë. Nuk është Bashkimi Europian që përcakton datën e çeljes së negociatave në këto kushte ku jemi. Jemi ne që mund ta përcaktojmë atë, duke i dhënë Bashkimit Europian provën e prekshme të zbatimit të Reformës në Drejtësi, duke filluar pastrimin e pallatit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar."
Në një takim me ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri, Rama tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Vetting -un pas opinionit të Komisionit të Venecias. Rrëzimi i ligjit, sipas Kryeministrit, do ishte goditje për shqiptarët.
"Tani, pasi Opinioni i Komisionit të Venecias ka ardhur dhe është i qartë për të gjithë, edhe pse në Shqipëri ju e keni parë se ka filluar një debat politik, kush është më i zoti në përkthim nga Anglishtja në Shqip, ose nga Shqipja në Anglisht, nuk mbetet gjë tjetër, veçse Gjykata Kushtetuese të konfirmojë opinionin. E kundërta do të ishte një shuplakë, jo vetëm e pamerituar, por tërësisht e tepërt në fytyrën e popullit shqiptar."
Rama tha se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol stabilizues në rajon, duke hapur rrugën e dialogut për problemet e së shkuarës.