Nuk ka ende një zgjidhje konkrete për fatin e 1000 fermerëve të cilët nuk mund të jenë pjesë e përfitimeve të granteve apo subvencioneve nga qeveria për shkak se janë debitorë ndaj Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, si pasojë e mosshlyerjes së kësteve të fondeve të përfituara më herët. Sipas të dhënave zyrtare, detyrimet e fermerëve përfshirë edhe penalitetet, shkojnë deri në 2 miliardë lekë të reja.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi, Ministria i Bujqësisë u zotua në Tetor se zgjidhja e vetme ishte amnistia ndaj detyrimeve dhe për këtë do të diskutonte me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave.
Burime nga Financat thonë se janë njohur me shqetësimin e fermerëve dhe në parim janë dakord për gjetjen e një zgjidhje, por kërkojnë një detajim të propozimit të Ministrisë së Bujqësisë lidhur me efektet financiare për të bërë vlerësimin e duhur.
Nuk dihet ende nëse do të vendoset që këto detyrime prej afro 2 mld lekë të reja do të falen plotësisht apo do të këtë një ristrukturim të detyrimeve të shpërndara në një kohë më të gjatë.
Këta fermerë në vite kanë përfituar nga skemat e financimit të AZHBR, por për arsye të ndryshme objektive, nuk kanë mundur t'i shlyejnë këstet e pagesave. Për pasojë Agjencia e Zhvillimit Bujqësor ka hapur procese gjyqësore ndaj tyre, proces ky që i pengon të përfitojnë nga mundësi të tjera financimi përderisa figurojë si debitore.
Heqja e fermerëve nga lista e debitorëve, sipas Ministrisë së Bujqësisë do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e fermerëve në aplikime të tjera të për të përfituar mundësi financimi.