Report TV - Tepelenë:Artistët e mirditorë sukses në festivalin e këngës popullore

  • 8 years ago
Deda dhe Elda, janë dy artistë të vegjël nga Mirdita. Ata kanë zbritur në Tepelenë, për të performuar në Festivalin e parë të Këngës Popullore për fëmijë. Me dëshirën e madhe për të mbajtur gjallë folklorin dhe traditën mirditore, dy artistët e vegjël, janë pjesë e grupit popullor që përfaqëson zonën në konkurrimin e parë kombëtar, që organizohet në qytetin e Ali Pashait.

Ded Picaku djali 13 vjeçar, është instrumentist dhe luan në çifteli, ndërsa Elda Gega, është këngëtare.

Motivet e zonës, ata i kanë përfaqësuar më së miri në eventet kombëtare, madje duke qenë edhe fitues të disa çmimeve nacionale gjatë festivaleve të organizuara.

Pranë tyre, qëndron udhëheqësi artistik i QKF, i cili me modesti, shprehet se dëshira e brezit të ri që rritet në Mirditë, është mbajtja gjallë e folklorit të zonës dhe rigjenerimi i mëtejshëm i kulturës shekullore, përmes tingujve burimor.

Në konkurrimin e natës së vetme të Festivalit të Këngës Popullore që u organizua mbrëmjen e të shtunës në Tepelenë, kanë konkurruar grupe artistike popullore nga QKF e Gjirokastrës, Tepelenës, Divjakës, Fierit, Skraparit, Kuçovës, Shkodrës, Mirditës, Vlorës etj.

Organizatorët e festivalit, janë shprehur se ky eveniment, ka për qëllim, kultivimin e folklorit tek fëmijët dhe traditave të hershme tek ta. Bashkia e Tepelenës ka qenë mbështetësja e festivalit të parë që organizohet në qendër të qytetit.

Recommended