Report TV - Aksioni i IKMT, banorët kundër vlerës së shpronësimeve ndaj tyre

  • 8 years ago
Prishja e ndërtimeve për projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri në Tiranë nga ana e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka bërë që një pjesë e banorëve të mos lejojnë mjetet e rënda që të prishin objektet, pasi ata nuk janë dakord që të kompensohen me vlerën që është përcaktuar.

Në orët e mëngjesit të sotëm, në afërsi të Stacionit të Trenit, teksa ka nisur aksioni, banorët e një familje janë vendosur mbi rrënojat e objektit, pasi janë kundër vlerës që është lënë për t?iu dhënë për banesën që do iu prishet, për zbatimin e projektit.

Sipas Shaban Tresan-it 72 vjeç, prona është ndërtuar që në vitin 1930 dhe është vlerësuar në vlerën e 30 milion lekëve të vjetra.

Pronari dhe bashkëshortja e tij kanë refuzuar që të largohet nga banesa.

Aty kanë qenë edhe forcat e policisë dhe ato të shërbimit zjarrfikës.

Kjo bëri që aksioni të ndërpritet ndërkohë që po vijojnë edhe negociatat për rifillimin e punës në këtë zonë.

Pas negociatave, pronarët e familjes janë larguar nga pjesa e çatisë së shtëpisë dhe aksioni ka rifilluar për prishjen e ndërtesës.

Në këtë segment pritet të shemben 15 banesa, ndërkohë që shumë të tjera do të prishen në krahun tjetër të Bulevardit të Ri, ku aksioni i ditëve të fundit është shoqëruar me përleshje mes tyre dhe forcave të policisë.