TIRANE - Përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe të mesëm do të takojnë këtë pasdite në orën 19:30 kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për t'i parashtruar zyrtarisht kërkesat e tyre për rishikimin dhe uljen e taksave. Bëhet fjalë për vendimet e taksave vendore të cilat sipas bizneseve janë 10-fishuar e që këto trë fundit janë njohur me taksat e rritura vetëm në muajin shkurt kur edhe tatimorët u kanë dërguar faturat që duhet të paguhen.
Kërkesat e biznesit u bënë publike një ditë më parë në studion e Report TV nga kryetari i Shoqatës së biznesit të vogël, Nikollaq Neranxi, i cili tha se, përfshihen: Taksa e ndërtesë, taksa e truallit mbi të cilën është bërë ndërtesa, taksa e tabelës, taksa e infrastrukturës arsimore, taksa e pastrimit, tarifat e hapësirave publike dhe taksa e tavolinës.
Nëse këto kërkesa nuk plotësohen, përfaqësuesit e biznesit thonë se do të përshkallëzojnë protestestat para godinës së bashkisë të cilat kanë javë që i kanë nisur.
Takimi me kryetarin Veliaj ishte parashikuar paradite, por u shty disa herë për shkak të axhendës së kryebashkiakut Veliaj.
Kërkesa e biznesit të vogël i është dërguar Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Keshillit Bashkiak, grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, të PD-së, LSI-së,PDIU-së, Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, ku kërkojnë me forcë rishikimin e taksave, pasi kjo do të ndikojë në punën e tyre të përditshme.