Report TV - Shpërthimi, 6 bombola në lokal njerëzit u hodhën nga dritaret
  • 8 years ago
POGRADEC - "Menduam se u rrëzua një avion". Kështu e përshkruajnë shpërthimin e fuqishëm nga bombola e gazit në lokal, personat që u bënë dëshmitarë të një tmerri të vërtetë në qendrën e fshatit Beragozhdë të Dardhasit mbrëmjen e së hënës. Njerëz që janë hedhur nga dritaret e lokalit që ndodhet në kat të dytë për t'i shpëtuar flakëve, e të tjerë që teksa vijonin lojën e shahut e konsumonin birra, nuk e kishin ndjerë në asnjë çast gazin që rridhte prej një bombole të dëmtuar në këtë lokal.

Një ditë pas kësaj ngjarje tragjike me 33 të plagosur rëndë, por fatmirësisht pa viktima, Report TV sjell atë se çka mbetur nga shpërthimi. Gazetari i Report TV Arsen Rusta është gjendur në lokalin e vetëm të fshatit, ku në momentin e shpërthimit frekuentohej nga mbi 30 persona, përfshirë pjesëtarët e stafit. Duket se ka qenë një mrekulli që i ka shpëtuar të pranishmit, pasi në lokal janë gjendur 6 bombola gazi për agtim, që nëse edhe ato do të ishin problematike, bilanci i kësaj ngjarje do të ishte vërtet tragjik.

Një shkëndijë dyshohet paraprakisht të ketë shkaktuar shpërthimin e bombolës së gazit, e cila ishte e plasaritur e për pasojë ka shkaktuar rrjedhje gazi. Bombola në fjalë nuk ishte në punë dhe mbahej rezervë prej pronarëve të lokalit për tu vendosur në punë kur të mbaronte gazi në bombolat e tjera. Policia ka sekuestruar bombolen per te zbardhur shkaqet qe sollen shperthimin e saj.

Sipas dëshmive të marra nga terreni, shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm...lokali thuajse është shkrumbuar, karriget, tavolinat, televizori e kompjuteri që përdorej për muzikë...gjithçka e djegur. Njerëzit janë hedhur nga xhami për t'i shpëtuar flakëve, ndersa disa kane shpejtuar te heqin rrobat e djegura nga trupi. Mbi tavolina shihen gotat e pijeve që ata kanë qenë duke konsumuar, por edhe një lojë shahu e lënë në mes.

Prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa deri më tani në pranga ka rënë pronari 20-vjeçar i lokalit Romario Muçka i cili akuzohet për plagosje të rëndë nga pakujdesia dhe për shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse.
Recommended