http://www.vizionplus.tv https://facebook.com/VizionPlusTV https://twitter.com/VizionPlusTV Shoqëritë e ruajtjes fizike shkelin rregullat dhe udhëzimet e miratuara për transportin e vlerave monetare. Mosrespektimi i tyre ka sjellë edhe ngjarje të rënda siç ishte grabitja e miliona eurove ditën e enjte. Ligji për shoqëritë private të sigurisë fizike parashikon në nenin 37 qe pajisjet e shërbimit përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Brendshëm. Ky është udhëzimi i nënshkruar nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në prill të këtij viti. Ai saktëson se automjeti për transportin e vlerave monetare duhet te jete i blinduar. Por në grabitjen e të enjtes xhami i makinës u thye. Hetuesit dyshojnë se prej kohësh shoqëritë e ruajtjes fizike nuk përdorin mjete të blinduara, por të përshtatura si të tilla. Kjo për shkak se 5 grabitësit nuk qëlluan në drejtim të automjetit, por e thyen xhamin e saj, thjesht duke e goditur me sende të forta. Udhëzimi i Tahirit sqaron gjithashtu se shoqëria e sigurisë vë në dispozicion armatimet, ndërkohe qe qendra e kontrollit gjurmon automjetin me kamera të cilësisë së lartë. Asnjëra prej këtyre pikave të udhëzimit të ministrit nuk është zbatuar, çka ngre dyshime dhe mbi funksionimin e shoqërisë së ruajtjes fizike, 5 punonjës të se cilës u arrestuan. Të enjten, persona të maskuar si efektivë policie dhe të armatosur grabitën me lehtësi maksimale makinën me miliona euro. Ky është rasti i dytë brenda këtij viti, ku shoqëritë e ruajtjes fizike bien pre e grabitjeve. Në prill, persona të armatosur ndaluan një tjetër automjet dhe grabitën të gjitha paratë, të cilat transportoheshin drejt një qendre tregtare.