A1 Report - Më 30 korrik Veliaj në krye të Bashkisë, konstituohet këshilli
  • 9 years ago
TIRANE - Një javë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të shpërndajë mandatet për këshillin bashkiak të Tiranës, pritet të zhvillohet mbledhja e parë e këtij këshilli dhe të marrë zyrtarisht detyrën kryetari i ri i bashkisë Erion Veliaj.

Seanca e parë e konstituimit të këshillit të ri bashkiak pritet të zhvillohet ditën e enjte me datën 30 korrik. Mësohet se të gjitha subjektet politike janë njoftuar nëpërmjet një letre dërguar nga Sekretari i Këshillit Bashkiak Behar Zeneli për të dërguar përfaqësuesit e tyre në këtë mbledhje.

Sipas ligjit për pushtetin vendor ky është detyrim ligjor i sekretarit të këshillit, ndërsa në mbledhjen e parë të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Këshilli bëjnë betimin se do të ndërmarrin vendime në shërbim të interesave të qytetarëve.

Në bazë të parashikimeve ligjore, të ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, pasi bëjnë betimin anëtarët e rinj të këshillit votojnë për të zgjedhur kryetarin e Këshillit Bashkiak, që në këtë rast i takon Partisë Socialiste, e cila ka shumicën.

Në bazë të tabelës së rezultateve të miratuar në KQZ koalicioni i majtë ASHE ka marrë 42 këshilltarë ndërsa koalicioni i djathtë ka 19 anëtar në këshillin bashkiak.

Pas konstituimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës kryetari i zgjedhur Erion Veliaj pritet të bëjë betimin para këshilltarëve të rinj duke marrë kështu zyrtarisht drejtimin e bashkisë më të madhe në vend për katër vitet e ardhshme.