TIRANE- Gazeta SHQIPTARJA.com zbulon prezencën e Nikolas Gejxh në Shqipëri dhe boton fotot. Në kulmin e debatit për reformën territoriale, në Shqipëri vjen kreu i lobit grek në SHBA, Nikolas Gejxh. I njohur ndryshe si ekstremisti grek i cili lobon për idenë e Greqisë së Madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Nikolas Gejxh ka ardhur në Shqipëri në një çast kur diskutohet ndarja e re administrative.
Burime tepër të besueshme për gazetën "Shqiptarja.com", të cilat u faktuan më pas me fotografi pohuan ne Nikolas Gejxh ka qenë i pranishëm në Shqipëri që prej disa ditësh.
Vizita
Ardhja e Gejxh në Shqipëri ka ndodhur pak ditë më parë dhe takimet e para ia ka pasur në zonën Himarës me kryetarin e OMONIA-s Vasil Bollano. Këto takime kanë përfunduar me meshën që është mbajtur ditën e diel në Tiranë në shenjtërimin e katedrales ortodokse "Ngjallja e Krishtit". Edhe në këtë takim, kreu i lobit grek që njihet si ekstremisti që predikon idetë e Greqisë së Madhe ka qenë i shoqëruar me Vasil Bollanon, ku kanë qëndruar krah për krah njëri tjetrit. Pas kësaj meshe, mësohet se ai ka vijuar duke qëndruar në Tiranë dhe ka kryer takime me përfaqësuesit e PBDNJ-së dhe më pas është larguar.
Reforma
Ardhja e tij në Shqipëri bëhet në një moment kur vendi po diskuton për reformën territoriale. Përfaqësuesit e minoritetit grek të cilët mbështeten nga Nikolas Gejxh duket se kanë diskutuar për mënyrën se si do të bëhet ndarja e zonave minoritare ku thelbi i diskutimit ka qenë Himara. Duke qenë se Gejxh është me origjinë nga Himara dhe lobon fort në Shtetet e Bashkuara kundër Shqipërisë, takimet në zonën e Himarës janë bërë për të caktuar mënyrën më të mirë strategjike se si do të bëhet shkëputja e kësaj zone nga krahinat e tjera shqiptare.
Duke parë edhe pretendimet e përfaqësuesve të minoritetit grek në Shqipëri për të krijuar një Himarë të pastër të shkëputur tërësisht nga krahinat e tjera shqiptare, si Vranisht apo Kurveleshi, vizita e Gejxh është bërë edhe për të diskutuar propozimet e fundit të OMONIA-s për këtë çështje. Pavarësisht se kjo duket si diçka normale, prezenca e Nikolas Gejxh në Shqipëri bëhet problematike. Ai është një nga personat që ka lobuar gjithmonë kundër Shqipërisë në SHBA duke predikuar idetë e aneksimit të Vorio Epirit.
Kësisoj prezenca e tij në një moment kaq delikat përsa i përket reformës territoriale dhe pretendimeve të OMONIA-s lë të kuptohet se ai ka marrë informacionet ekstra dhe ka vijuar më pas lobimin e tij në SHBA për shkëputjen e Vorio Epirit.
Comments