TIRANE- Zv.ministri i Integrimit, Majlind Lazimi bëri me dije se ministrja Klajda Gjosha do të kryejë disa vizita për lobim në Holandë, Angli e Francë në kuadër të integrimit të vendit, përpara se të jepet vendimi për statusin e vendit kandidat nga BE. Vitin e shkuar këto vende u treguan skeptike në dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Ndërsa në 12 maj, Gjosha do të udhëtojë në Bruksel për të raportuar mbi mbarëvajtjen e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
"Pritet që në qershor të kemi vizitë të ministres Gjosha dhe në Holandë dhe në Angli. E ka të vështirë të konfirmojë nëse do të ketë një vizitë Francë, por ka mundësi që të ketë një vizitë të një niveli akoma më të lartë në këtë vend, pikërisht përpara marrjes së vendimit. Më datën 12 maj, ministrja Gjosha do të jetë në Bruksel për të raportuar në këshillin e Stabilizim-Asociimit, për mbarëvajtjen dhe zbatimin e MSA", tha Lazimi.
Një fokus të veçantë në diskutim ka patur njëri ndër 5 prioritetet kyç, ai i luftës kundër korrupsionit, për të cilin zv.ministri Lazimi u shpreh se në korrik do nisë një plan veprimi.
"Është për t'u theksuar se është ngritur tashmë Koordinatori Kombëtar për Luftën kundër Korrupsionit. Zoti Çuçi drejton këtë organizëm. Synon koordinimin e të gjitha politikave dhe përpjekjeve për të luftuar korrupsionin. Në korrik do të kemi edhe një plan veprimi, përpos strategjisë antikorrupsion 2014-2017. Do të kemi plan veprimi, me masa konkrete", u shpreh Lazimi.
Në debat është përfshirë dhe socialisti Namik Dokle, i cili është shprehur se "korrupsioni është një kancer i cili duhet luftuar, edhe nëse në qershor, përgjigja për statusin është pozitive, lufta nuk mund dhe nuk duhet të pushojë".