POGRADEC- Gjuetia pa kriter e Koranit të vogël në liqenin e Pogradecit ka detyruar Ministrinë e Bujqësisë të ndërmarrë një aksion për zgjidhjen e këtij problemi shqetësues. Nëpërmjet një nisme të përbashkët me Shoqatën e Peshkimit në Pogradec, specialistë të kësaj ministrie kanë zhvilluar kontrolle dhe kanë sekuestruar rrjeta dhe varka të peshkatarëve që po ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin. Aksioni ka hasur në kundërshtimin e këtyre të fundit, teksa nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike. Kreu i Shoqatës së peshkatarëve, Adriatik Dokollari, është konfrontuar fizikisht me peshkatarët, të cilët kanë kundërshtuar heqjen e rrjetave të sërfit nga liqeni me argumentin e të vetmes së ardhur ekonomike në familjet e tyre. Aksionet e ministrisë do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme me qëllim për të ndalur këtë fenomen që po çon Koranin drejt zhdukjes.