Asnjë politikan, asnjë shtet nuk ka arritur të mposhttë median. Kështu e komenton kërcënimin e një dite më parë të partisë së Menduh Thaçit ndaj Televizionit ALSAT-M, profesori Ymer Ismaili. Ai tha se metodologjia e funksionit të PDSH-së është e njohur tashmë, me kërcënimet e shantazhe ndaj njerëzve, por edhe kësaj metode i dihet epilogu.
"Edhe në këtë rast disfata e plotë do të jetë e iniciatorit të këtij konflikti, në rastin konkret me ju. Duke pasur parasysh mënyrat dhe metodologjinë e veprimit kohëve të fundit të kësaj partie politike, sinqerisht më vjen keq ta them, por duhet ta them se ata më nuk janë për t'ju bërë komente politike, ata kanë ardhur në atë pozitë që atyre duhet bërë analiza, de fakto komponentë të tjerë, analiza që kanë të bëjnë me strukturën e të menduarit të tyre që në fakt kalon analizën politike, atyre duhet t'ju bëhet një diagnostikim klinik dhe vetëm kështu mund të vijmë deri tek e vërteta se çfarë bëjnë dhe çfarë duan ata njerëz", deklalroi Imer Ismaili, analsit
Edhe analisti politik Naser Ziberi vlerëson se është politikë e gabuar hapja e një fronti kundër mediave, siç është rasti i PDSH-së kundrejt Televizionit ALSAT-M. Ai tha se të habit fakti pasi në të gjithë botën, partitë politike bëjnë të pamundurën që të kenë komunikim dhe raporte të mira me mediat, kurse tek ne ndodh e kundërta.
"Subjektet politike që ndjekin të kundërtën me këtë që po them unë, janë të dënuara për dështim dhe kjo jo për faktin se i bëhet dëm një mediumi apo subjekti konkret por mediat kanë një funksion publik dhe janë me interes të veçantë, prandaj në të gjithë botën por edhe në Maqedoni mediat paraqesin interes publik për të gjithë qytetarët. Fjala e shkruar, e thënë dhe e interpretuar përmes mediave është interes i çdo qytetari dhe kërcënimi ndaj një media, d.m.th kërcënim dhe shkelje e interesit të çdo qytetari në Maqedoni", tha Naser Ziberi, analist politik.
Edhe ashtu, situata e medias në Maqedoni është boll e rrezikuar. Pak ditë më parë, organizata ndërkombëtare 'Reporterët pa Kufij' e rendiste Maqedoninë në vendin e 123-të, 80 vende më poshtë krahasuar me vitin 2009. Maqedonia renditet përkrah Afganistanit, Kongos, Nepalit, Sudanit Jugor e Taxhikistanit. Ndërkohë ambasada amerikane në Shkup publikoi një video speciale ku pjesëmarrës të saj, janë gazetarë dhe të punësuarit në sektorin për marrëdhënie me publikun në ambasadë. Spoti shpreh zhgënjimin për gjendjen e medias.
Videoja është prodhim i Ambasadës Amerikane në Shkup dhe përfundon me mesazhin se tani është koha për ndryshime pozitive. Valmir Kuçi
Comments