"Ne nuk jemi për bela dhe vëllavrasje, nuk jemi për konflikt mes shqiptarëve", kështu sot Bashkimi Demokratik për Integrim iu përgjigj retorikës së liderit opozitarë Menduh Thaçi i cili në një tubim elektoral deklaroi se më 27 prill mund të ndodhë "Bela e madhe'. Sipas Ademit, gjithmonë kur BDI-ja ka qenë pjesë e pushteti zgjedhjet kanë qenë të lira dhe demokratike, kështu u shpreh ai do të jetë edhe kësaj radhe.
"Ne nuk jemi për belaja dhe vëllavrasje, nuk jemi për konflikt mes shqiptarëve, por angazhohemi për një fushatë pozitive, promovuese ashtu siç ka qenë deri më tani. Unë i garantoj qytetarët dhe i ftoj që më 27 prill me dinjitet dhe me qytetari ashtu siç ka ndodhur deri më tani të dalin dhe të votojnë dhe ti japin fund shantazheve dhe kërcënimeve dhe ti japin fund opsioninit i cili shantazhin dhe kërcënon", tha Abdilaqim Ademi, BDI.
Sipas Ademit, PDSH-ja dënimin për një retorikë të tillë do ta merr nga qytetarët shqiptar më 27 prill ashtu siç u dënuan në zgjedhjet e vitit 2008.
"Kështu do të jetë edhe në këto zgjedhje dhe institucionet e vendit janë ata të cilat duhet të garantojnë dhe ne si parti në pushtet garantojmë që zgjedhjet do jenë të lira dhe demokratike dhe nuk ka nevojë askush të frikësohet nga këto lloj kërcënime", tha Abdilaqim Ademi, BDI.
Ndryshe, lideri opozitarë Menduh Thaçi, duke sqaruar qëllimin e takimit me kryeministrin Nikolla Gruevski ka theksuar ndër tjera se më 27 prill mund të ndodh bela e madhe, nëse sipas tij tentohet të frikësohet dhe falsifikohet vullneti i elektoratit shqiptar.
"E keni pyetjen pse u takova me Gruevskin? U takova për ti thënë se ti je gazda i tyre, ndali në kërpesh se më 27 do bëhet belaja e madhe, dhe kjo ishte arsyeja e këtij takimi. Prapë vazhdojnë të pyesin a do të jemi ne në qeveri? Prej ditës së diel u jepnin infuzione hordhive të veta. Nuk do të jeni, dikush tjetër do të jetë në qeveri. PDSH-ja që ka mandatin e popullit, që e ka mbështetjen e popullit", tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Ndryshe, kreu i PDSH-së në vitin 2008 kishte paralajmëruar kasaphanën e tij të njohur në mbrojtje të votës që kishte shkaktuar reagime të ndryshme në opinion. Bedri Rexhallari
Comments