Mobilizimi i votuesve maqedonas me thirrjet për mandat kundër shqiptarëve është gabim i madh politik që mund të sjell në vend ndonjë prej skenarëve fqinje. Kështu e komenton zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani thirrjen e Gruevskit për 62 deputetë, siç thotë ai, kundër kërcënimeve të BDI-së. Osmani tha se BDI-ja nuk udhëheq politikë kundër askujt, ndërsa është problem i VMRO-së nëse politika autentike e BDI-së paraqet kërcënim për ta.
"Vlerësojmë se është gabim që motivi kryesorë për ti mobilizuar dhe për të fituar mbështetjen e qytetarëve, dhe me këtë edhe mandatin, të jetë i orientuar kundër një bashkësie etnike në vend. Kjo nuk është rruga që na çon përpara. Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë efektesh kanë prodhuar këto politika në fqinjësinë tonë më të afërt. Për këtë arsye BDI nuk kërkon mandat kundër askujt, por kërkon mbështetje për politikat që më shumë se 1 dekadë dëshmohen si politika autentike shqiptare. Na vjen keq nëse mbështetja masovike që qytetarët i japin kësaj lëvizje dhe këtij misioni dikujt i pengon dhe dikush kërcënohet nga ato", deklaroi Bujar Osmani, BDI.
VMRO DPMNE-ja filloi fushatën parlamentare me thirrje nga qendra e Shkupit për 62 deputetë, që të mos lejojë zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe dhe ndryshimin e Kushtetutës në pjesën e zgjedhjes së presidentit. Gruevski e ka ripërsëritur për të disatën herë këtë thirrje, pavarësisht se në raportin e para 3 ditëve të OSBE/ODIHR, ishte tërhequr vërejtja për fjalorin e tillë që nxit ndarje etnike.
"Programi i parë i BDI-së është dygjuhësia në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë. Kjo nuk është e drejtë dhe nuk reflekton realitetin në Maqedoni, e as që është pjesë e Marrëveshjes Kornizë. Prandaj kërkojmë 62 vende në Parlament. Kandidati konsensual dhe ndryshimin e Kushtetutës, kjo nuk është realitet, kjo nuk është shprehje e vullnetit të shumicës bindëse të qytetarëve, e as madje pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Prandaj na duhen 62 vende në Parlament dhe fitorja e presidentit Gjorge Ivanov në këto zgjedhje", tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.
Nga ana tjetër BDI-ja ka kontestuar edhe njëherë kandidatin e VMRO DPMNE-së Gjorge Ivanov dhe deklaratat e tij në debatin e mbrëmshëm të kandidatëve presidencial. Sipas BDI-së, debati i mbrëmshëm ka treguar se ideja e BDI-së për kandidat konsensual është e arsyeshme. Benjamin Arifi