Të gjitha evidencat e qytetarëve me të drejtë vote gjatë zgjedhjeve të radhës presidenciale dhe atyre të parakohshme parlamentare, janë dorëzuar tashmë në përputhje me Kodin Zgjedhor, tek Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Kështu informoi sot Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska. Sipas saj pritet që KSHZ-ja, në bazë të këtyre të dhënave, të marra nga institucionet kompetente të dalë me listën finale zgjedhore.
"Deri tani gjithsej janë dhënë 1 milion e 934 mijë letërnjoftime dhe këto janë dokumente të vlefshme, përkatësisht 1 milion e 857 mijë pasaporta. Numri i peronave për të cilët ekzistojnë të dhënë në evidencat tona se janë shtetas të Maqedonisë por që nuk posedojnë dokument biometrik, është 124 mijë e 962", u shpreh Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Jankullovska kujtoi qytetarët që posedojnë dokumente biometrike por me afat të skaduar, se nuk do të kenë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje, pa u pajisur më parë me dokumente të vlefshme. I njëjti fenomen ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit.
"Numri i tillë i dokumenteve është 12 mijë e 255. Këta persona janë qytetarë të cilët sipas ligjit gjenden në të gjitha evidencat, por nëse ata dëshirojnë të realizojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, do të duhet të ri-nxjerrin dokumentet, përkatësisht të sigurojnë dokumente të vlefshme biometrike", theksoi Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
Ndërkohë përmes një reagimi me shkrim LSDM-ja opozitare ka kërkuar nga MBP që në bazë të vërejtjeve dhe konstatimeve të marra nga KSHZ-ja, të bëjë korrigjime brenda afatit ligjor në Listën Zgjedhore, përndryshe do të besojë se MPB po manipulon procesin me votues fiktiv. LSDM-ja bazuar në rastet e paraqitura gjatë zgjedhje të kaluara i kërkojë sqarime Jankullovskës se si në një banesë në rrugën Maksim Gorki u gjetën se jetonin 74 persona, me dokumente të lëshuara nga MPB-ja duke forcuar dilemat për manipulim vote! Valmir Kuçi