BDI vazhdon fushatën në diasporë

  • 9 years ago
Vazhdon fushata e BDI-së në diasporë për grumbullimin e sa më shumë votave, në mënyrë që kjo parti të rris sa më shumë forcën e saj në parlamentin e ardhshëm. Fatmir Dehari, njëri nga anëtarët e Shtabit zgjedhor të BDI-së për diasporën, tha se kësaj here tentativat e VMRO-DPMNE-së për të përçarë faktorin shqiptar nuk do të kenë sukses, pasi shqiptarët janë organizuar dhe do të dëshmojnë të njëjtin vullnet që treguan edhe për Kërçovën.

'Unë shpresoj që do të jetë goditja e dytë që do t'i jepet këtij tentimi për ta përçarë apo për t'i ngadhënjyer ata të cilët nuk e meritojnë. Faktet janë në anën tonë. Diaspora shqiptare është në çdo aspekt, si në numër dhe në aspekt të kapaciteteve ekonomike e financiar,e por edhe lidhja e ngushtë me vendlindjen, janë këto të gjitha përparësitë që më në fund ne do të ngadhënjejmë me kandidatët për deputet nga diaspora', u shpreh Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

Dehari thotë se është i bindur që BDI-ja do të fitojë të paktën 2 nga 3 deputetët e diasporës.

'Nga kjo që jemi duke parë ne tani, nga ky organizim, nga ky intensitet mendoj se shqiptarët do të ngadhënjejnë dhe do të fitojnë edhe deputetët tani, si në SHBA, njëjtë edhe në Evropë. Shpresojmë edhe për në Australi', tha Fatmir Dehari, kryetar i Komunës së Kërçovës.

Para disa ditëve u finalizuan emrat e kandidatëve të BDI-së në Diasporë për zgjedhjet parlamentare. Pas procesit të konsultimeve me shumicën e shoqatave shqiptare nëpër botë, BDI-ja vendosi që njësia zgjedhore e dy Amerikave të përfaqësohet nga Tefik Abdullahui, Australia nga Driton Maliku dhe njësia që përfshin Evropën, nga Ismail Beluli. Valmir Kuçi

Recommended