Me zyrtarizimin e kandidatit të LSDM-së për President në konventën e partisë një ditë më parë, u finalizua edhe lista e garuesve për shef të shtetit, në zgjedhjet e 13 prillit. Kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski, është profesor aktual në Universitetin Amerikan Kolexh në Shkup dhe kryetar i Këshillit për mbrojtje dhe integrime në NATO të LSDM-së. Pendarovski ka qenë shef i drejtorisë për hulumtime dhe analiza të MPB-së, si dhe këshilltar i Presidentëve Trajkvoski dhe Cërvenkovski.
"Detyra ime e parë do të jetë të kthejnë dinjitetin dhe rëndësinë e funksionit të Presidentit të Maqedonisë.Unë si president i ardhshëm do të jem njeriu që do të kujdeset dhe respektojë interesat e të gjithë qytetarëve, të maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbëve, vllehve dhe gjithë të tjerëve", deklaroi Stevo Pendarovski, kandidat i LSDM-së për President.
Nga ana tjetër Presidenti aktual Gjorge Ivanov, mori mbështetjen për rikandidimin e tij në mandat të dytë nga VMRO DPMNE-ja. Ivanov i cili në pozitën e kryetarit erdhi nga profesioni i profesorit në fakultetin juridik të Universitetit të "Shën Kirili dhe Metodi", gjatë promovimit të tij nuk hoqi dorë nga çështjet e identitetit dhe të nacionalizmit.
"Do ti përmbahen Vijave të kuqe sa i përket kontestit për emrin. Nuk do të pranoj ndryshim të kushtetutës me qëllim ndryshim të emrit të shtetit, nuk do të pranoj ide dhe propozime që do të cenoj identiteti maqedonas", tha Gjorge Ivanov, kandidat i VMRO DPMNE-së për President.
Nga ana tjetër PDSH-ja me kandidatin e tij Iljaz Halimin, do përpiqet të grumbullojë rreth 350 mijë vota. Halimi ka qenë deputet gjatë disa mandateve si dhe nënkryetar i kuvendit. Ndërsa në prononcimet e tij mbahet mend me deklaratën e tij se Tetova duhet të jetë kryeqendër e shqiptarëve të Maqedonisë.
"Do të japim maksimumin në faktorizimin e shqiptarëve që edhe shqiptarët të jenë vendim marrës edhe në këto raste. Përmes zgjedhjeve presidenciale ka mundësi që të vijë deri tek arritja e realizimit të përcaktimeve programore dhe platformës partiake por, sa kjo do të arrihet do të varet nga fuqia e votës"u shpreh Iljaz Halimi, kandidat i PDSH-së për president.
Kandidati i katër për president është i Iniciativës qytetare për Maqedoni, është Zoran Popovski, profesor i biokimisë dhe inxhinierisë gjenetike në Institutin për bio-teknologji. Semra Jakupi