Ministri i Jashtëm i Greqisë Venizelos në këto momente bën vlerësimin e takimeve të sotme maratonë me autoritet e Shkupit. Venizelos vendosi t'u drejtohet mediave nga hapësirat e delegacionit të BE-së në Shkup, dhe jo në konferencë të përbashkët me homologun e tij Poposki, ashtu siç veproi gjatë vizitave të tij në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë.
Madje më herët Poposki i cili pas takimit me Venizelos dhe prononcim për mediat, ironizoi faktin që kolegu i tij iu shmang konferencës së përbashkët me të, duke u shprehur se me siguri nuk i pëlqen pano-ja ku gjendet mbishkrimi i 'Republikës së Maqedonisë'. 'Është çështje shijesh', komentoi Poposki.
Ministri i Jashtëm, Poposki e cilësoi si pa të frytshëm edhe epilogun e bisedës së tij me Venizelos. Ashtu si shumë herë më parë, Poposki akuzoi palën greke se nuk është e interesuar të zgjidh çështjen e emrit, gjë që sipas tij paraqet dhe pengesën e vetme në rrugën e integrimeve të vendit, megjithëse Athina gjen arsyetime të tjera.
Ta ndjekim deklaratën e Poposkit pas takimit me homologun e tij grek Venizelos.
"Nuk besoj se për momentin ekziston klimë politike për përkushtimin e palës tjetër rreth kësaj çështjeje në drejtim të nxitjes së gjërave përpara.. Ne në çdo rast do të mbetemi të përkushtuar në atë pjesë që ne e kemi nën kontroll, ato janë të gjithë reformat që i bëjmë për një Maqedoni më të mirë. Do të mbetemi të hapur për dialog në çdo moment, në çdo vend dhe në çdo format. Ne historikisht kemi qenë në situatë të respektojmë marrëveshje të imponuara në bazë të kontesteve të imagjinuara. Pavarësisht atyre, ne jemi të hapur për dialog", tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.
Tone më pozitive për vizitën e Venizlosit shprehu zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, i cili këtë vizitë e cilësoi si mundësi të përkryer për të biseduar për euro-integrimet e vendit dhe përforcimin e bashkëpunimit mes Shkupit dhe Athinës. Shefi i diplomacisë greke u prit sot edhe nga Presidenti Ivanov, i cili edhe një herë ka ftuar për vizitë presidentin grek. "Nuk i ka hije dy shteteve fqinje evropiane në shek e 21 të mos komunikojnë në nivel më të lartë", i ka thënë Ivanov, Venizelosit.
Venizelos u prit edhe nga kryeministri Gruevski, si dhe u zhvilloi takime edhe me kreun e BDI-së Ali Ahmeti dhe liderin e opozitës Zoran Zaev.
Dua të ju rikujtoj se Venizelos është i pari zyrtar grek që viziton vendin pas rreth 10 vitesh.
Ndërkaq meqenëse konferenca e tij është në rrjedhë e sipër, me detajet nga përshtypjet dhe vlerësimet e Venizelosit nga vizita e tij në Shkup, do t'iu njoh në edicionin e radhës të lajmeve të orës 19. Semra Jakupi