Greqia është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë në rrugën drejt integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. Gatishmërinë e shtetit grek e ka përcjellë zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Greqisë Evangelis Venizellos në takim me liderin e BDI-së Ali Ahmeti. Dy palët kanë ndarë qëndrime të njëjta për më shumë çështje, përfshi edhe nevojën për gjetjen e një kompromisi për emrin.
'Ndamë mendime të njëjta për shumë çështje, sidomos në aspekt të lëvizjes, jo vetëm të vendim tonë, por edhe të rajonit në drejtim të anëtarësimit në NATO dhe BE. Sigurisht si çështje dhe pengesë paraqitet moszgjidhja e çështjes së emrit. Venizellos paraqiti një gatishmëri të plotë që do të angazhohet për një zgjidhje të pranueshme për të dy palët', deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Venizellos ka takuar edhe liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev, me të cilin gjithashtu janë diskutuar aktualitetet politike dhe kontesti i emrit.
"Gjetja e zgjidhjes për të gjitha problemet është e mundur vetëm me takime dhe bisedime të këtilla, për këtë shkak liderët politik të dy shteteve duhet të praktikojnë takime dhe bisedime më të shpeshta, për të përmirësuar bashkëpunimin e përgjithshëm mes dy vendeve. Në këtë mënyrë do të transmetohet mesazh inkurajimi se mund të gjendet zgjidhje edhe për problemet më të hidhëta", u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Megjithatë në takimet e Venizellosit me krerët politikë nuk është biseduar për propozime konkrete për zgjidhjen e kontestit dhe as për afate të mundshme. Ahmeti theksoi se me Venizellosin kanë biseduar për parime e jo për emra dhe data, ndërsa Zaevi tha se as që është i informuar me propozimin e fundit të ndërmjetësit Metju Nimic. Benjamin Arifi