A1 Report - Librazhd, banoret kunder firmes qe nderton rrugen e Qafe Plloçes

  • 9 years ago
LIBRAZHD- Rreth 500 banorë që preken nga ndërtimi i rrugës Qukës--Qafë Plloçë kanë protestuar të dielën kundër kompanisë që ndërton rrugën, pasi sipas tyre nuk respekton kontratën për shfrytëzimin e lumin Shkumbin.

Mbi 20 ha tokë rrezikon përmbytjet nëse nuk merren masa nga instancat përkatëse. "Rruga që po na ndërton kjo firmë është jashtë çdo standardi", shprehen banorët.
Shqetësim mbetet argjinatura e lumit Shkumbin e cila është marrë nga kompania për të ndërtuar rrugën nacionale të Qafë Plloçës.

Tokat bujqësorë janë më të rrezikuara, pasi lumi Shkumbin është shumë i vrullshëm në këtë stinë të vitit. Firma nga ana tjetër përveç se ka dëmtuar pritat mbrojtëse, ka prerë të gjitha pemët që ishin mbledhur nga fshatarët e zonës për ti bërë pritë lumit në stinën e dimrit.

Firma "Salillari" në ndërtim e sipër ka dëmtuar edhe rrugët e brendshme të fshatit Fanjë duke vështirësuar nxjerrjen në treg të prodhimeve bujqësore të fshatarëve të zonës. Fshatarët akuzojnë kryetarin e komunës së Qukësit, Fatmir Terziu se është bërë palë me firmën ndërtuese dhe nuk del në mbrojte të komunitetit.

Televizioni "A1 Report" kontaktoi në telefon me kryetarin e komunës Qulës, duke i kërkuar që të jap një version zyrtarë të ngjarjes. Z.Terziu u shpreh se, "ditën e shtunë i kam bërë kërkesë me shkrim firmës kontraktuese "Salillari", që të mos marrë më argjinaturë pranë lumit Shkumbin, ndërsa nga ama tjetër përfaqësuesit të firmës "Salillari" thanë se, "kemi një leje shfrytëzimi nga Drejtoria e Bordit të Kullimit rreth 3 vite më parë" , përfundon bisedën telefonike kryetari i Komunës.

Ligji parashikon se nuk duhet të merren inertet e lumenjve nga muaji tetor deri në muajin maj, ndërsa firma vazhdon punën. Banorët u shprehën të gjithë njëzëri se, nëse shteti nuk e rregullon situatën, atëherë ato do të bllokojnë të gjitha makineritë që transportojnë inerte nga lumi Shkumbin.

Recommended