TIRANE- Katër takimet me Julian Sinanajn, dhe një foto e përbashkët ku Ilir Karçini ka qenë së bashku me biznesmenin rival të tij Piro Bare, janë prova kryesore e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që provojnë se biznesmeni 44-vjeçar ishte porositësi i atentatit.
Burime të besuara të "A1 Report" pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, thanë se në një rast Sinanaj bashkë me Genis Mëhillaj, e kanë takuar në zyrë Karçinin.
Madje ky i fundit i kishte dhënë edhe 50 mijë euro kapar, ndërsa pjesa tjetër prej 70 mijë eurosh do t'i jepej pasi të kryhej vrasja.
Grupi i hetimit ka bërë edhe një provë, duke i dhënë rreth 20 fotografi të ndryshme Julian Sinanajt për të provuar deklarimet e tij, dhe tek këto fotografi njëra i përkiste Karçinit.
Sinanaj pa hezitim ka identifikuar foton e porosotësit, Karçini, dhe kjo provë është futur në dosjen hetimore.
Karçini kishte konflikt biznesi me Piro Baren, i cili nuk e lejonte të shkarkonte anijet me gaz të kompanisë "Prima Gas", dhe kjo i rriste koston Karçinit.
Ndërsa nuk gjeti zgjidhje ligjore me denoncimet tek Autoriteti i Konkurencës, Karçini kontaktoi kushërinjtë Andon dhe Genis Mëhillaj, që t'i gjenin një vrasës për Baren.
Vrasja ishte parashikuar për në 25 janar, dhe ndërhyrja e policisë solli arrestimin në kohë të Sinanajt dhe parandalimin e krimit.