Marku: Dibra, kundër devijimit të lumit Radika
  • 9 years ago
Deputetja e vetme nga Dibra, Luljeta Marku është shprehur kundër projektit për devijimin e rrjedhës së lumit Radika me ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Llukovës. Sipas saj ky projekt do të shkatërroj ekologjinë dhe eko sistemin në këtë rajon. Ajo paralajmëroi se këtë çështje do ta shtroj edhe në seancën pyetje deputetësh javën që vjen ndërsa nuk përjashton edhe mundësin e propozimit të ligjit, me të cilin do të pengohet devijimi i rrjedhës së lumit Radika.

"Qëndrimi im është identik me të gjithë dibranët kudo që janë ato. Me një fjalë nuk jam kundër ndërtimit të objekteve energjetike në lumin Radik në rrjedhën natyrore të lumit mirëpo jam kundër ndërtimit të objekteve energjetike me devijimin e lumit Radika. Këtë e them pasi është e qartë që do të ketë një katastrofë ekologjike dhe të eko sistemit", tha Luljeta Marku, deputete e BDI.

Tirana zyrtare edhe sot ka mohuar zërat për ekzistimin e një marrëveshje sekrete me zyrtarët e Maqedonisë për devijimin e lumit Radika. Pretendimet e tilla, ministri i energjisë dhe industrisë Damian Gjiknuri i quajti spekulime dhe furtunë në gotë bosh. Ai garantoi se nëse Shkupi do të ketë ndonjëherë një projekt konkret për lumin Radika, qeveria shqiptare do të mbrojë interesat e saj në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

Kundër këtij projekti janë deklaruar banorët e Dibrës të cilët nga protestat e disa dite më parë morën mbështetjen edhe nga Shqipëria. Nga Banka Botërore, njoftojnë se nëse banorët janë kundër projektit, atëherë paratë për projektin do të tërhiqen. Në realizimin e projektit duhet të përfshihen Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Mali Zi. Një pjesë e ujërave që përfundojnë në pellgun e Adriatikut, do të ridrejtohen në Egje. Gjyltene Rexhallari
Recommended