Partitë e vogla parlamentare, të mbështetura edhe nga Partia Socialiste, kanë propozuar në Parlament një nismë që parashikon një skemë të re të ndarjes së parave nga ana e buxhetit të shtetit. Për këtë vit janë parashikuar 190 milionë lekë për partitë politike. Sipas ligjit aktual, 10% e shumës ndahet ndërmjet partive që kanë marrë 1% të votave. Kjo lë jashtë parti si PDK, PSD, PDS dhe Aleanca Kuq e Zi që kanë marrë 10 mijë vota. Kuota e përfitimit është 17 mijë vota. Këtë e përfiton vetëm Fryma e Re Demokratike e ish-presidentit Bamir Topi. Më datë 30 dhjetor të vitit kaluar, në Kuvendin e Shqipërisë është paraqitur zyrtarisht projektligji "Për një shtesë në ligjin "Për partitë politike, të ndryshuar", ku deputetët nismëtarë të këtij projektligji janë Nard Ndoka, Taulant Balla, Vangjel Dule, Petrit Vasili, Fatmir Mediu dhe Dashamir Tahiri. Amendimi i ligjit ul numrin e nevojshëm të votave që i duhen një partie të vogël për të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Duke iu referuar ligjit aktual, i cili parashikon një numër të nevojshëm votash prej 1% të totalit të votave, të vegjlit kërkojnë uljen e pragut për të përfituar ndihmën ekonomike. Nisur nga totali i votuesve prej 1.724.779 në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit 2013, 1 përqindëshi i tyre është rreth 17 mijë vota. Të vegjlit kërkojnë që ky prag prej 17 mijë votash të zbresë në 10 mijë vota, në mënyrë që dhe këto parti të përfshihen në skemën e financimit nga buxheti i shtetit.
Tab. 1 Paratë që përfitojnë partitë nga buxheti për 2014-n Partia Shuma në lekë PS 751 milionë lekë PD 588 milionë lekë LSI 226 milionë lekë PDIU 98 milionë lekë PR 89 milionë lekë PBDNJ 64 milionë lekë PKD 64 milionë lekë FRD 3.2 milionë lekë
TAB. 2 Partitë me 10 mijë vota në zgjedhjet e 23 qershorit Partia Numri i votave FRD 29 310 PBDNJ 14 722 PDS 11 891 PSD 10 220 PDK 13 288 AK 10 196