Bastardimi i gjuhës shqipe në ueb faqen e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, ku në vend të 'Republika e Maqedonisë' qëndron 'Republikës së Maqedonisë', është gabim i shërbimeve që merren me këtë çështje. Ministri Mile Janakievski kërkoi falje për gabimin i cili siç u shpreh ai është bërë nga njerëz që edhe emrin dhe mbiemrin e tyre e shkruajnë e gabojnë, por pa precizuar nëse e ka fjalën për të punësuarit në dikasterin e tij apo për të tjerët që mirëmbajnë këtë ueb-faqe.
"Po e pash atë gabim dhe gjatë ditës së djeshme iu lajmërova shërbimeve që ta korrigjojnë dhe me këtë rast dëshirojë të kërkojë falje për gabimin e pa qëllimshëm. Ka disa njerëz që gabojnë kur shkruajnë edhe emrin e tyre!", tha Mile Janakievski, Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Janakievski paralajmëroi se do të ngrejë procedurë disiplinore ndajë personit që ka bërë këtë lëshim. Ai tha se është i interesuar që të gjitha aktivitetet që ata realizojnë të publikohen në faqen e tyre të internetit, edhe atë në 3 gjuhë.
"Do të ngrejë edhe procedurë disiplinore pasi është bërë gabim dhe përsëri kërkoj falje për gabimin e pa qëllimshëm. Ka shërbim në Ministri që merret me informacionet, ndryshe ne dëshirojmë që me kohë të publikojmë të gjitha informacionet në ueb-faqen tonë", deklaroi Mile Janakievski -- Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Ngjashëm është pamja edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Bujqësisë. Ueb-faqja është pothuajse e zbrazët dhe pa materiale në gjuhën shqipe, ndërsa gjysma e kategorive kryesore janë në maqedonisht. Gjithsesi këto dy ministri janë të vetmet që nuk udhëhiqen nga ministra shqiptarë, e që kanë tentuar të krijojnë një version të ueb faqes edhe në gjuhën shqipe. Ndërkohë, 8 ministritë e tjera të cilat udhëhiqen nga kuadro të VMRO DPMNE-së, por edhe vetë Qeveria, nuk e kanë parë të arsyeshme të krijojnë ueb faqe në gjuhën shqipe, për të bërë më të lehtë komunikimin me etnitetin e dytë më të madh të cilit i shërbejnë. Valmir Kuçi