Për Komunën e Butelit nuk janë shumë me rëndësi rrugët në e lagjes Vizbeg, edhe pse qytetarëve të kësaj lagje ua mbledhin tatimet. Sektori për informim i Komunës së Butelit nuk deshi të jep deklaratë lidhur me lënien pas dore të Vizbegut dhe rrugëve në këtë vendbanim. Arsyeja pse nuk japin deklaratë për televizionin Alsat është se ne nuk i paskemi reklamuar kur kanë ndërtuar rrugë nëpër fshatrat me shumicë maqedonase. Lidhur me rrugën për të cilën informuam dje, Komuna e Butelit thekson se kompetencat janë të përbashkëta me Komunën e Shutkës, dhe se po përpiqen të gjejnë zgjidhje.
"Kjo rrugë nuk është aq e rëndësishme, nuk e di se përse bëni kaq bujë për këtë. Nuk keni ardhur ta kërkoni kryetarin e komunës për ta lavdëruar kur asfaltoi 30 kilometra rrugë, dhe tani për as një kilometër rrugë bëni kaq bujë. Përgjegjëse për pjesën më të madhe të kësaj rruge është Komuna e Shutkës, ne do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje të përbashkët me ta që ta ndërtojmë këtë rrugë, por gjithsesi drejtohuni atje", thanë në bisedë telefonike nga Komuna e Butelit.
Të kontaktuar nga televizioni Alsat, Komuna e Shutkës u bëri thirrje qytetarëve që të dërgojnë kërkesë zyrtare në Komunë, dhe pastaj do të vlerësohet se çfarë masash do të ndërmerret. Megjithatë nga Komuna e Shutkës bëjnë të ditur se pjesa e rrugës të cilën e kishim xhiruar dhe transmetuar dje është nën kompetencë të Komunës së Butelit. Qytetarët ankohen për diskriminim etnik nga kryetari i Komunës së Butelit Petre Llatinovski, i cili edhe pse mbledh para të majme nga tatimet e amvisërive dhe industrive në Zonën Industriale në këtë lagje, thuajse asnjë qindarkë nuk e ka kthyer si investim në Vizbeg. Ai nga ana tjetër gjente mjete financiare për akrobacione të ndryshme në vendbanimet me shumicë maqedonase, madje edhe për përmendoren 8 metrash të Nikolla Vapcarovit që kushtonte 8 milion denarë. Derisa institucionet i hedhin fajin njëra tjetrës, banorët e Vizbegut janë të detyruar të jetojnë me hallin dhe revoltin e tyre.
"A nuk është turp? 500 shtëpi shqiptarësh, 2 metra udhë nuk kanë"
Vizbegu është lagje e banuar kryesisht me shqiptarë dhe shumë pranë komunave urbane të qytetit të Shkupit. Benjamin Arifi