Gruevski: Jam unë ai që raportoj për procesin euro-integrues
  • 9 years ago
Pak ditë përpara Samitit të dhjetorit të BE-së, kryeministri Nikolla Gruevski e pa të rrugës të informojë personalisht kreun e Këshillit të BE-së Herman Van Rompuj lidhur me arritjet e vendit në procesin euro-integrues. Duke qenë se autoritetet e Brukselit dëgjojnë vlerësime nga politikanë të ndryshëm, Gruevski tha se argumentet e tij dhe jo të tjerëve do t'i ofrojnë një pasqyrë të saktë kreut të institucionit vendimmarrës të BE-së rreth zhvillimeve në vend. Në qëndrimin e tij Greuvski tërthorazi aludonte edhe për vizitat e fundit të Ahmetit apo për raportimet që ka bërë Houiti e Greqia si vend anëtar në BE.

"Mendoj se z.Van Rompuj në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ne mori pasqyrën e vërtetë rreth asaj që po ndodh në Maqedoni, pasi deri tek çdo politikan këtu mbërrijnë informata të ndryshme nga palë të ndryshme. Ne vlerësuam se do të ishte mirë të na dëgjoj ne, t'ia prezantojmë argumentet tona, këtë dhe bëmë, e informuam atë si për pjesën e reformave ashtu edhe fushat e tjera që janë të rëndësishme dhe për të cilat u interesua vetë ai", tha Nikolla Gruevski, kryeministër.
Gruevski tha se bisedimet janë përqendruar rreth reformave aktuale, administratës publike dhe pavarësisë së gjyqësorit, por ka kërkuar edhe mbështetjen e kreut të Këshillit të BE-së, për fillimin e procesit të negociatave mes BE-së dhe Maqedonisë.

"Kërkova angazhimin e tij të mëtejshëm për sa i përket pritjeve tonë për të ardhmen, dhe me shpresë se do të gjendet mënyrë që të sa më shpejtë që është e mundur të kapërcehet pengesa e vetme që do të na mundësonte të kalojnë në fazën tjetër të cilën synojmë, pra për të filluar negociatat për anëtarësimin e plotë të vendit në BE", deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Megjithatë kreu i Këshillit të BE-së Herman Van Rompuj ka qenë i prerë. Duke mos lënë hapësirë për dilema rreth vendimit të mundshëm të Samitit, Rompuj ka theksuar se pa pëlqimin e të gjitha shteteve anëtare të Unionit, Maqedonia nuk do të mund të fillojë bisedimet. Vizita e kryeministrit Gruevski në Bruksel ndodh 10 ditë përpara Samitit të Këshillit të BE-së, në të cilin fati i Maqedoni do të rishkruhet pa asnjë dallim nga ai i një viti më parë. Autoritet e Brukselit tani më kanë bërë të qartë se vendi nuk mund të shpresoj për datë, në kohën kur nuk ka treguar asnjë progres si në zgjidhjen e çështjes së emrit, ashtu edhe në përmbushjen e detyrimeve që kërkohen nga vendi për përmirësimin e dialogut politik dhe reformave të tjera evropiane. Semra Jakupi
Recommended